
Më 25 maj, në Tiranë do të luhet finalja e Conference League, mes Romës dhe Feyenoord. Në lidhje me këtë, në edicionin e lajmeve në MCN TV, ka folur gazetari i sportit, Edi Hajdini. Ai u shpreh se sfida për Shqipërinë, do të jetë menaxhimi në qytet, pasi në stadium situata do të jetë më e qetë.
Hajdini deklaroi se ditën e ndeshjes, pritet të ketë probleme mes dy tifozerive, duke ditur edhe historikun e tyre të mëparshëm.
Nuk bëhet fjalë për rrezikshmëri në shkallët e stadiumit, por jashtë. Nëse i referohemi të shkuarës, ka pasur përplasje mes tifozerive. Para 7 viteve, tifozët e Feyenoord, shkatërruan një qendër historike në Romë. Ishte një shatërvan që kishte vlera të rëndësishme historike dhe kushtoi 200 mijë euro.
Në Holandë, në stadiumin e Feyenoord, ku do futen tifozët ta shikojnë ndeshjen, janë shitur 40 mijë bileta. Kjo tregon interesin e lartë. Janë tifozë, të cilët në dallim nga kombëtaret, janë fanatikë dhe e kanë të lidhur gjithçka me klubin.
Pjesa më e vështirë do të jetë menaxhimi në qytet. Varet çfarë do të bëhet atje ku janë dy tifozeritë. Pritet të ketë probleme dhe kjo është e garantuar. Menaxhimi do të jetë sfida për Shqipërinë.



