
Trajneri i Partizanit, Orges Shehi, beson të kualifikimi në turin e dytë të Conference League.
Pavarësisht barazimit zhgënjyes në ndeshjen e parë, tekniku i të kuqve, deklaroi se në Maltë kanë udhëtuar për të marrë kualifikimin ndaj Marsaxlokk.
Shehi theksoi se skuadra do të bëjë maksimumin për të kënaqur tifozët, që kanë vendosur të udhëtojnë edhe në transfertën malteze.
Gjendja e grupit paraqitet optimale. Kemi pasur disa shqetësime të vogla tek individë të veçantë , por ata i janë bashkuar skuadrës dhe janë të gatshëm.
Patjetër që në përballjet me eliminim janë të rëndësishme të dyja ndeshjet. Asgjë nuk zgjidhet në 90 minutat e para. E thashë edhe pak më parë kemi ardhur këtu për tu kualifikuar dhe të shkojmë në raundin tjetër.
Tifozët? Patjetër që prezenca e tyre edhe në ndeshjen e nesërme është një shtysë për ne. Unë gjej rastin t’i falënderoj që kanë udhëtuar deri këtu për të mbështetur skuadrën. Ne do të bëjmë maksimumin për t’i kënaqur ata që do të jenë në stadium, por edhe ata që do na ndjekin nga Shqipëria dhe presin nga ne më të mirën.
Ndeshja Marsaxlokk-Partizani do të luhet këtë të enjte në orën 19:00, ndërsa do të transmetohet ekskluzivisht në MCN 24.



