
Shtatë lojtarë në Ligën Kombëtare të Rugbit të Australisë (NRL) do të bojkotojnë një ndeshje të rëndësishme pas vendimit të ekipit të tyre për të veshur një fanellë të krenarisë homoseksuale.
Të enjten, Manly Warringah Sea Eagles do të bëhet skuadra e parë në konkurs që do të promovoj përfshirjen LGBT në këtë sport.
Por lojtarët nuk u konsultuan dhe disa e kundërshtojnë lëvizjen për arsye fetare dhe kulturore. Klubi kërkoi falje për trajtimin e situatës.
Trajneri Des Hasler tha se klubi kishte bërë një "gabim të rëndësishëm" që kishte shkaktuar "konfuzion, shqetësim dhe dhimbje për shumë njerëz, veçanërisht ato grupe, të drejtat e të cilëve ne në fakt po përpiqeshim t'i mbështesim".
Në një konferencë për shtyp të martën, ai i kërkoi falje komunitetit LGBT dhe lojtarëve të përfshirë. Sipas rregullave të ligës, lojtarët nga i njëjti ekip nuk mund të veshin fanella të ndryshme.
Ndeshja e së enjtes konsiderohet e rëndësishme për shanset e klubit për të kaluar në finalet e NRL dhe qëndrimi i lojtarëve ka ngjallur një reagim të ashpër në internet.
Nuk është hera e parë që një atlet australian kundërshton veshjen e një fanelle krenarie. Vitin e kaluar, lojtarja e femrave të AFL-së, Haneen Zreika humbi një ndeshje pasi refuzoi të vishte fanellën për arsye fetare.



