
Ish-trajneri Sven-Goran Eriksson, u diagnostikua me tumor në pankreas në janar të këtij viti dhe iu tha se i ka mbetur edhe më pak se një vit jetë.
Suedezi, ka folur në një dokumentar për jetën e tij për “Amazon Prime Video”.
Eriksson, nuk kërkon keqardhje, duke thënë se jeta ka të bëjë me vdekjen. Ai thotë se shpreson të mbahet mend si një djalë i mirë.
Kam pasur një jetë të mirë. Mendoj se të gjithë jemi të frikësuar nga dita kur vdesim, por jeta ka të bëjë gjithashtu me vdekjen. Duhet të mësosh ta pranosh ashtu siç është. Shpresoj se do të më mbani mend si një djalë pozitiv që u përpoq të bëjë gjithçka që mund të bënte. Mos kini keqardhje, buzëqeshni. Faleminderit për gjithçka, trajnerë, lojtarë, tifozë, ka qenë fantastike. Kujdesuni për veten dhe kujdesuni për jetën tuaj. Dhe jetojeni atë.
Si trajner, Eriksson ka një karrierë të gjatë, duke drejtuar ekipe si Goteborg në Suedi, Roma, Fiorentina, Lazio dhe Sampdoria në Itali, por edhe Manchester City në Angli.
Gjithashtu ai drejtoi edhe kombëtaren e Anglisë, nga 2001 deri në vitin 2006.



