
Çekia ka regjistruar fitoren e parë në Europian, teksa ka mposhtur me rezultatin 0-2 Skocinë. Heroi i çekëve ishte padyshim sulmuesi, Patrick Schick. Ky i fundit realizoi dopietë, por goli i dytë ishte me të vërtetë një kryevepër. Pas një kundërsulmi të Çekisë, Schick pasi merr topin, gjuan me të majtën, duke e ndalur topin në fundin e rrjetës. Një gol me të vërtetë spekatkolar, më i bukuri deri tani. Tashmë Çekia kryeson grupin D së bashku me Anglinë, me nga 3 pikë.
Në ndeshjen e grupit E, Polonia është shtangur nga Sllovakia. Këta të fundit kanë triumfuar me rezultatin 2-1, në një ndeshje të luftuar nga fillimi deri në fund. Sllovakët kaluan të parët në avantazh në minutën e 18-të, falë një autogoli të portierit Szczesny.
Polakët reaguan vetëm në pjesën e dytë, ku Linetty vendosi baraspeshën në minutën e 46-të, pas një asisti perfekt nga Rybus. Megjithatë sllovakët nuk u dorëzuan, duke gjetur edhe golin e fitores me mbrojtësin e Interit, Milan Skriniar në minutën e 69-të.



