Futbollisti Christian Atsu është gjetur i vdekur nën rrënojat e shtëpisë së tij pothuajse dy javë pas tërmetit në Turqi, ka konfirmuar agjenti i tij.
Reprezentuesi i Ganës, 31 vjeç, kishte luajtur me skuadrat e Premier League, Everton, Chelsea dhe Newcastle.
Atsu ishte zhdukur që nga tërmeti i 6 shkurtit që shkaktoi shembjen e banesës së tij në Antakya, Hatay.
“Nuk ka fjalë për të përshkruar trishtimin tonë. Nuk do të të harrojmë, Atsu. Paqja qoftë mbi ty, njeri i bukur”, shkroi në Twitter klubi i tij turk Hatayspor.
Pas tërmetit, Hatayspor fillimisht raportoi se Atsu ishte shpëtuar "me lëndime", por një ditë më vonë ky pozicion ndryshoi.
Agjentja e tij Nana Sechere, e cila ka qenë në Hatay, e konfirmoi lajmin të shtunën në Twitter, duke shkruar: “Me zemrën më të rëndë më duhet t'u njoftoj të gjithë dashamirësve se mjerisht trupi i Christian Atsu u gjet këtë mëngjes. Ngushëllimet e mia më të thella shkojnë për familjen dhe të dashurit e tij. Përfitoj nga rasti për t'i falënderuar të gjithë për lutjet dhe mbështetjen e tyre."
Shoqata e Futbollit të Ganës tha se trupi i Atsu u gjet të shtunën në mëngjes pas "pothuajse dy javë torture emocionale".
Tërmeti dhe pasgoditjet në Turqinë jugore dhe Sirinë veriore dihet se kanë vrarë më shumë se 40,000 njerëz.



