
Skuadra e Milanit është duke e shfrytëzuar në maksimum të gjithë potencialin në këtë fund merkato për të plotësuar kërkesat e trainerit Stefano Pioli. Kuqezinjtë duan ti shtojnë një tjetër element efikas mesfushës dhe për këtë arsye nuk pranojnë të dorëhiqen për Tecatito Corona . Situata në lidhje me kontratën e meksikanit i detyron portugezët të dëgjojnë ofertat në adresë të 28 vjeçarit sepse në të kundërt do të rrezikonin largimin e tij në vitin e ardhshëm me parametër zero.
Duke analizuar progresin e bërë me Porton dhe njëkohësisht mënyrën e lojës së italianëve dilet lehtësisht në konkluzionin se karakteristikat e Tecatito Coronas përputhen në mënyrë perfekte.
Një element që s’duhet anashkaluar është se transferimi i mundshëm në "San Siro" nuk do ti rëndojë shumë xhepave të drejtuesve të Milanit për arsye se është një lojtar me vlerë kartoni të përballueshme. Duke ditur se merkatos i mbetet edhe shumë pak për të përfunduar, sipas "La Gazzetta dello Sport" Milani ka vënë në dispozicion të Portos 10 milionë euro, shifër shumë racionale nëse merret parasysh fakti se Tecatito Coronas i përfundon kontrata me Porton pas 4 mujash.
Megjithatë Porto kërkon të përfitojë 13 milionë euro dhe 40 % i kësaj shifre do ti kalohet Twentes, ekip ku ekstremi është aktivizuar në të kaluarën.
Nëse ky operacion do të rezultojë me sukses Tecatito Corona do të ketë shansin për të aspiruar për më lart dhe do të gjente mbështetjen e Brahim Diaz dhe Zlatan Ibrahimovich në majën e sulmit të cilët me siguri do t’ia bënin më të lehtë përshtatjen lojtarit nga Hermosillo.



