
Dihet nga të gjithë se Kimi Raikkonen nuk është nga ata pilotë të Formula Unos që preferon të flasë shumë, aq më pak për veten. Kur jep një intervistë (dhe kjo ndodh se është i detyruar), flet shumë pak. Por “Njeriu i Hekurt” i vërtetë është vetëm për miqtë e ngushtë dhe natyrisht për familjen. E ka bërë më së miri, piloti finlandez këtë në publikimin e e biografisë së tij “Kimi Raikkonen i panjohur”, në të cilën tregon histori të panumërta të jetës së tij dhe e ka konfirmuar këtë në një intervistë për Motorsport.com.
“Një gjë e veçantë që kam bërë? Kam qenë i dehur për 16 ditë radhazi, - bën shaka kampioni i Botës në vitin 2007 me Ferrarin. - Të mendosh që e kisha harruar fare këtë gjë. Ka ndodhur gjatë kampionatit të vitit 2013. Midis Çmimit të Madh të Bahreinit dhe atij të Spanjës, kam pirë në mënyrë të pandërprerë. Le të themi se sapo kishim kaluar Europën dhe u zbavitëm pak. Ka ndonjë gjë që s’shkon? S’ka asgjë të gabuar në gjithë këtë. Ishte shumë normale në atë periudhë dhe ka ndodhur me të vërtetë. Nuk ishte hera e vetme që e kam bërë një gjë të atillë”.
Edhe pse kanë kaluar vetëm gjashtë vite, Kimi Raikkonen “i ri” ndihet i ndryshuar si njeri.
“Të jem i sinqertë, pas 16 ditëve plot pije, nuk ndihesha më rehat me veten. Sot, në jetë, ka gjëra shumë të rëndësishme. Tashmë kam një familje dhe të kaloj kohën me fëmijët dhe gruan time është vërtetë thelbësore”, ka thënë ai.
Një tjetër moment i rëndësishëm i jetës të pilotit finlandez ka qenë ajo e rally-t.
“Nuk është një garë në kuptimin e vërtetë të fjalës, nuk ke një kundërshtar direkt, lufton vetëm kundër kronometrit, por është zbavitëse. Edhe kur pilotova në NASCAR, jam ndier mirë, pasi në ato gara vlerëson duelin trup me trup. Kam menduar shpesh nëse do të doja ende të garoja dhe nëse do të rezultoja sërish kompetitiv”, është shprehur Raikkonen.
Ndërsa raportet me librin i ka të këqija.
“Për ta kuptuar më mirë, ditën e publikimit është bërë një prezantim dhe unë një natë para e kalova duke lexuar librin tim. Dija ç’përmbante, natyrisht, sepse kisha lexuar disa pjesë, por unë zakonisht nuk lexoj. Më është dashur ta bëj me detyrim në shkollë, duke filluar të lexoja libra të ndryshëm, por duke mos përfunduar asnjë, pasi ishte shumë e mërzitshme për mua. Jo për faj të tyre, por mendoj se të lexosh, është budallallëk”.
Kimi Raikkonen është me të vërtetë një personazh unik në botën e Formula 1 dhe nuk është nga ata që mund ta vendosësh në rrjesht. Unik dhe i paimitueshëm”Njeri i Hekurt”!



