
Trajneri i Kombëtares, Edoardo Reja foli për mediat pas përfundimit të ndeshjes miqësore me Çekinë, ku u mposhtëm me rezultatin 3-1. Në fjalët e tij, tekniku i Shqipërisë u shpreh se skuadra meriton vlerësim maksimal për impenjimin që tregoi në fushë. Gjithashtu Reja tha Kombëtarja po përmirësohet me kalimin e kohës, ndërsa shton se te goli i tretë ishte gabimi i arbitrit duke thënë se rezultati 2-1 do ishte më dinjitoz.
“Ishim pak të lodhur. Në këtë periudhë të sezonit nuk mund të pretendosh të japësh 100%. Më vjen keq që humbëm me këtë rezultat pasi nuk e meritonim të humbnim 3-1, mbase 2-1 po. Patëm edhe ne rastet tona, ndodhi dhe ai incident që gjyqtari dha një vendim të padrejtë te goli i tretë. Nuk do të merremi me gabimet arbitrore sepse ishte miqësore. Sigurisht disa gjëra pozitive po vijnë dalë nga dalë.
Për impenjimin skuadrës i jap notën 10, lojtarët dhanë maksimumin pa u tërhequr në asnjë moment, jemi përballur me dy skuadra shumë të forta fizikisht, si me Uellsin dhe Çekinë që kanë lojtarë që kur nisin kundërsulme është e vështirë ti ndalosh. Duhet të përmirësohemi në pasat finale, me Uellsin u përpoqëm të zotëronim më shumë topin, një pjesë loje ia dolëm.
Gabimet? Sigurisht ndikoi lodhja ditën e sotme. Në ndeshjen me Uellsin ishim më të freskët dhe më të fortë, por bëmë një ndeshje të mirë sipas meje. Rezultati mund të ishte më i mirë duhet të jemi të ndërgjegjshëm që u përballëm me dy skuadra shumë të forta, e rëndësishme është të ulemi dhe të analizojmë, gabimet ndodhin por skuadra është në mbyllje të sezonit.
Rrëzimi? Një herë u rrëzova kur isha në Shqipëri gjatë një konference, herën e dytë në Uells, shpresojmë të kem mbaruar me kaq. Sigurisht kur përplasen me mua dëmtohen dhe kundërshtarët sepse jam fizik.”, u shpreh Reja.



