
Paulo Dybala është prezantuar ditën e sotme si lojtar i Romës. Në fjalët e tij, argjentinasi u shpreh se është i lumtur për këtë aventurë të re, ndërsa shtoi se nuk ndihet i tradhtuar nga Interi, me të cilët është lidhur prej muajsh.
Si fillim është shpejtë të flasim për titullin, por ka një dëshirë të madhe nga të gjithë për të bërë maksimumin. Roma fitoi një trofe shumë të rëndësishëm dhe ka ambicie për më shumë, skuadra është rritur me trajnerin dhe me lojtarët që ka në përbërje. Objektivi jonë është të fitojmë çdo ndeshje dhe për momentin disa skuadra janë para nesh sa i takon mundësisë për të fituar titullin.
Unë nuk ndjehem i tradhtuar nga Inter, prej momentit kur u shkëputa nga Juventus, mediat kanë folur për disa skuadra më shumë se për të tjerat. Unë kam një raport të mirë me Marottën, por në momentin që takova Tiago Pinton e Romës në Torino, gjithçka ndryshoi.
Pyetja e parë që i kam bërë Mourinhos është se çfarë mund të fitojmë. Mua më pëlqen të fitoj, në stërvitje shoh përgjegjësinë e trajnerit dhe besimin e djemve ndërsa jemi ende në njohje me njëri-tjetrin. Këto gjëra janë të rëndësishme për të mbërritur te një objektiv, do të jap gjithçka që të vazhdoj të fitoj. Pozicionin në fushë e vendos trajneri, unë jam i hapur për çdo rol. Fakti që ai më telefonoi, më bëri të ndihem mirë. Ishte një kënaqësi e jashtëzakonshme. Nuk do të festoj nëse shënoj kundër Juventusit.
Gjithashtu Dybala zbuloi se kishte një akord për të rinovuar kontratën me Juventusin në tetor, por disa muaj më vonë, ata ndryshuan mendje.
Drejtori Arrivabene ka qenë shumë i qartë me deklaratat. Kishim një akord për të firmosur në tetor, më pas e shtyu për në mars. Por, në mars shoqëria më njoftoi se nuk bëja pjesë në projektin e tyre. Nuk ishte aspak një problem ekonomik, shoqëria së bashku me trajnerin morën një vendim ndryshe dhe për mua nuk ka asnjë problem.



