
Federata Shqiptare e Futbollit ka nxjerrë në shitje biletat për ndeshjen e fundit që Shqipëria do të luajë në grup për Ligën e Kombeve kundër Skocisë.
Përmes një postimi në faqen zyrtare FSHF njofton të gjithë tifozët se ka nisur shitja e biletave online për të gjitha kategoritë për ndeshjen ndaj Skocisë, e cila do të luhet në datën 17 nëntor 2018, në orën 20:45, në stadiumin “Loro Borici” Shkodër.
Çmimet e biletave variojnë nga 500 lekë të tribunat C2, C3 dhe C4, që janë edhe më të lirat, 750 në C1 dhe C5, 1000 në D1 dhe D4, 1500 në D2 dhe D3, 4000 në A dhe B e deri në në 6000 lekë në tribunën VIP.
FSHF vijon të mos ul cmimet e biletave duke ruajtur të njëjtin standart cmimesh edhe pse në ndeshjet e fundit numri i spektatorëve në shkallët e stadiumit për të mbështetur skuadrën ka qenë i pakët.
Shqipëria renditet në vend të fundit në grup dhe shanset për të arritur vendin e parë janë minimale. Ndeshja e parë mes Skocisë dhe Shqipërisë përfundoi me shifrat 2-0 në favor të kundërshtarëve.



