
Ish-presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani, i ftuar në emisionin “SportZone” në MCN TV, nuk i kurseu akuzat ndaj drejtuesve aktualë të KOKSH.
Bezhani deklaroi se kërkon transparencë në lidhje me paratë e dhëna për institucionin. Sipas tij, KOKSH ka marrë 5 miliardë lekë, ndërkohë që nuk ka paraqitur akoma projektin.
Disa gabime gjatë drejtimit tim në presidencë ishte që nuk e kontrollova shumë herë këtë institucion. Kur pashë që në këtë institucion bëheshin abuzime, kërkova që lekët të menaxhoheshin në mënyrë transparente. Këtë kërkoj edhe sot. Në atë kohë nuk jepeshin dot as dy rroga, ndërsa tani jepen 5 miliardë për projekt. Të japësh 5 miliardë për sportin dhe sporti të mos marri fare, është e vështirë. Nuk është paraqitur akoma projekti për ato 5 miliardë që morën. Duhet transparencë, këtë kam kërkuar.
Bezhani deklaroi se Stavri Bello ka qenë kundër tij, ndërsa shtoi se gjyqi për këtë vazhdon.
I gjithë komuniteti i sportit, e di që Stavri Bello luftoi kundër meje. Këtu mashtron Fidel Ylli. Ai dridhej kur unë bëja zgjedhjen për sekretarin. Bëra gabim që e zgjodha. Ai bëri lobim për moszgjedhjen time.
Unë nuk jam dorëzuar, do të kërkoj drejtësinë deri në fund. Vazdhon akoma gjyqi me Stavri Bellon. Ne e dimë se çfarë bëhet me drejtësinë. Prokurori brenda në gjyq për Stavri Bellon, në saeancën e parë, tha “çoja edhe Erdoganit dhe nuk ke për ta marrë këtë gjyq”, një thënie që nuk ndodh në asnjë vend të botës. Nuk është bërë auditimi për 2019, 2020, 2021.
Drejtësia të merret me shpërndarjen e materialeve sportive. Shikoni tutat dhe atletet dhe të shikoni sa kushtojnë. Një kampion bote nuk merr akoma bursë. Marrin bursë, ata që në kampionate marrin vendin e fundit. Këta nuk kanë ndërmend t’i shërbejnë sportit, por kanë ndërmend t’i shërbejnë fasadës dhe paraqitjes së tyre. Nuk ka nevojë të gënjejnë.



