
Milani ka marrë një fitore shumë të rëndësishme, teksa ka mposhtur në shtëpi Lazion, me rezultatin 2-0. Kuqezinjtë e Piolit, e nisën që në fillim me presion dhe në kërkim të golit, të cilin e gjetën në minutën e 45-të. Ishte Rafael Leao, i cili pas një kombinimi perfekt me Rebic, ia doli ta dërgojë topin në rrjetë. Vetëm 5 minuta më vonë, Kessie kishte mundësinë të dyfishonte shifrat, por gjuajtja e tij nga penalltia, u ndal në tranversë.
Për të vulosur shifrat në 2-0, mendoi Zlatan Ibrahimovic, i cili 6 minuta pasi ishte futur në fushë, ia doli të realizojë, me asist të Rebic. Kështu Milani merr një fitore me shumë vlera, e cila pas 3 javëve të para, i ngjit në krye të tabelës.
Fitore ka korrur edhe Liverpool në Premier League. Të besuarit e Jurgen Klopp kanë mposhtur me shifrat 3-0 Leeds United. Salah në minutën e 20-të, Fabinho në minutën e 50-të dhe Mane në fundin e ndeshjes i dhanë fitoren Liverpool, që tashmë e sheh veten në vendin e tretë me 10 pikë, pas 4 javëve të para.
Megjithatë ajo që i shqetësoi të gjithë te skuadra e Liverpool ditën e sotme, ishte dëmtimi i rëndë i talentit Harvey Elliot, i cili theu këmbën dhe sezoni për të mund të quhet i mbyllur.
Pikërisht Liverpool si vendas dhe Milani do të përballen mes tyre ditën e mërkurë, në ndeshjen e parë në Ligën e Kampioneve.



