
Në prag të miqësores së Shqipërisë me Uellsin dy ditë më vonë, para mediave ka folur mbrojtësi i Kombëtares, Frederic Veseli. Ky i fundit është shprehur se do jetë një ndeshje e vështirë duke ditur cilësitë që ka kundërshtari. Më tej Veseli foli edhe për të ardhmen, ku tha se interesimet për të nuk mungojnë, por shtoi se tani është i përqendruar vetëm te Kombëtarja.
“Uells-Francë? E kemi parë ndeshjen deri sa morën kartonin e kuq, u dukën si të barabartë me Francën. Sigurisht është ekip shumë i fortë, janë kualifikuar në Europian, pra kanë kualitet. Nuk mundemi dhe ta gjykojmë shumë lojën pasi kur ke një lojtar më pak kundër Francës është shumë e vështirë. Mbaj mend edhe ndeshjen që kemi fituar me Uellsin para dy vitesh, është ekip i fortë dhe nuk duhet nënvlerësuar, pra duhet të kemi kujdes. Ne kemi lojtarë me shumë cilësi fizike dhe është detyra jonë t’i bllokojmë dhe mos t’i lëmë të bëjnë lojën e tyre, pra t’i mbyllim hapësirat.
Rezultati është gjithmonë i rëndësishëm, por ne jemi në fazë përgatitore për shtatorin. Për ne nuk ka kurrë miqësore. Qëllimi është të japim 100% në çdo ndeshje, por është edhe një mundësi për të vlerësuar formën dhe progresin tonë që të jemi gati 150% kundër Polonisë dhe Hungarisë në shtator.
Ne shqiptarët jemi të vlerësuar edhe jashtë sidomos për faktin që kemi mbrojtës që luajnë në Serie A, ku futbolli mbrojtës është pothuajse më i miri në botë. Secili jep maksimumin për skuadrën. E njohim dhe njëri-tjetrin nëpërmjet kampionatit italian. Qëllimi është të jemi të gjithë në harmoni, me mesfushorët e me sulmuesit. Sigurisht këtu ka të bëjë edhe puna e trajnerit, ne ndjekim urdhrat e tij.
Eksperimente? Ky sigurisht do jetë vendimi i trajnerit, ne do jemi në dispozicion maksimal. Secili prej nesh është i gatshëm të luajë ose të mos luajë, atë e vendos trajneri.
Unë kam ende dy vjet kontratë më Salernitana-n. Janë shfaqur disa interesime të tjera nga jashtë, po ashtu edhe nga Italia, por unë do përqendrohem për momentin te Kombëtarja pastaj do të shohim çfarë ndodh. Normal që jam shumë i kënaqur që jemi kthyer në Serie A dhe besoj se e kam merituar pasi kam kaluar dy vite shumë të vështira, shumë persona më kanë zhgënjyer. Por gjithsesi me punën time e tregova veten dhe me pak fat me Salernitana-n jemi kthyer në Serie A pas 23 vitesh. Është një event shumë i veçantë për tifozët por edhe për mua pasi për të tretën herë kthehem në Serie A.”, u shpreh Veseli.



