
Prej shumë kohësh mesfushori Sergej Milinkovic- Savic ndiqet nga disa klube të njohur dhe presidenca kryeqytetase e lideruar nga Claudio Lottito i ka dhënë rëndësinë e merituar kësaj çështje .
Numri një i bardhekaltërve e ka deklaruar pozicionin e tij dhe sipas italianes ‘ Il Messaggero ‘ thuhet se do të kërkojë 100 milionë euro për serbin që i ka dhënë shumë ofensivës së lacialëve në 7 sezone.
Kjo shifër konceptohet krejtësisht e papërballueshme nga klubet e interesuara por i shërben italianëve si strategji për të penguar largimin e Sergej Milinkovic- Savic nga ‘’ Olimpico ‘’ për shkak të rëndësisë së ishi-t të Genkut në 11-shen e Maurizio Sarrit.
Megjithatë ky fakt bie ndesh me dëshirën e 27 vjeçarit sepse si shumë yje të tjerë dëshiron të bëjë një kapërcim në karrierë dhe të bëhet pjesë e një klubi të famshëm pasi me punën e palodhur të këtyre viteve e meriton arritjen në një tjetër nivel .
Shumë vite në Serinë A e kanë shëndërruar në një protagonist me Lazion dhe klasifikohet ndër më të mirët në pozicionin që luan, një armë më tepër për skuadrën nga Roma e cila duhet të shtrëngojë dhëmbët për të evituar prishjen e skemave të Maurizio Sarrit dhe të fuqizojë një rival të mundshëm në Itali ose Europë në të ardhmen .
Pretendentët nuk mungojnë dhe janë nga më të mirët në qarkullim duke filluar me Juventusin , Manchester United dhe Real Madridin por gjithçka do të jetë në dorën e drejtuesve respektivë për përmbushjen ose jo të kërkesave të lacialëve pavarësisht problemeve ekonomike që mund të kenë .



