
Pas dështimit në lidhje me transferimin e Alphonso Davies në ‘’ Santiago Bernabeu ‘’, drejtuesit e Realit kanë filluar të shqyrtojnë të tjera alternativa.
Madrilenët e kanë përqëndruar vëmëndjen tek Alvaro Carreras, i cili aktivizohet me Benfikën.
Duke patur parasysh se në merkaton e verës Ferland Mendy dhe Fran Garcia mund të largohen, konsiderohet e domosdoshme blerja e një tjetër lojtari.
Për sa i përket atij të luzitanëve duhet theksuar se impresionoi në sfidën e djeshme, e vlefshme për Champions Leaguen kundër Barcelonës.

Megjithatë, kjo histori nuk përbën risi pasi Alvaro Carreras ishte pjese e kategorive inferiore të ‘’ Galaktikëve ‘’ në të shkuarën, fakt që i jep një lloj avantazhi sepse e njeh shumë mirë këtë klub.
Kontrata me kryeqytetasit skadon në 2029-tën dhe ky fakt thekson një lloj vështirësie për Real Madridin por e rëndësishme është se në ditët e mbetura drejtuesit duhet ta vënë pikën mbi i.
Ulje-ngritjet e njëpasnjëshme në krahun e majtë të mbrojtjes vijojnë të jenë një shqetësim për trainerin Carlo Ancelotti, i cili shpreson se për Alvaro Carreras drejtuesit do të qëllojnë në shenjë.
Në sezonin aktual numëron 30 ndeshje, 3 gola dhe 4 asiste, me një ndër klubet më të rëndësishëm të Portugalisë.



