
Trajneri i Vllaznisë, Elvis Plori, ka folur para mediave, në prag të sfidës me Skënderbeun. Tekniku shkodran, deklaroi se te skuadra e tij, problemi është te shënimi i golave.
Plori u shpreh se ndeshja me Skënderbeun është vlerësuar maksimalisht dhe do të kërkohet me çdo kusht fitoren.
Duhet vlerësuar maksimalisht edhe kjo ndeshje, duke ditur edhe ecurinë jo shumë të mirë që kemi pasur në ndeshjet e fundit, ku në 5 javë kemi 2 humbje dhe 3 barazime. Po shënojmë shumë pak, kështu që duhet ta vlerësojmë maksimalisht edhe këtë sfidë dhe të jemi shumë seriozë në fushë.
Shpresojmë që dy ndeshjet e radhës të na japin frymëmarrje, e rëndësishme është që pjesa ofensive e skuadrës sonë të funksionojë më mirë, sepse në ndeshjet e fundit nuk e ka bërë si duhet këtë gjë. Duhet që ndaj Skënderbeut ato mundësi e raste që do të na krijohen, t’i shfrytëzojmë dhe të marrim fitoren.
Edhe unë ndihem keq kur dëgjoj të thuhet se kur do ta marrë fitoren e parë Plori. Ndihem keq nga kjo situatë e krijuar. Gjithsesi, unë jam një djalë nga Shkodra dhe kam pasur mbështetjen tuaj gjatë gjithë kësaj kohe. Më shumë së unë besoj se askush nuk e do më shumë fitoren dhe deri tani mund të them se kemi bërë vetëm një punë të mirë: kualifikimin në finalen e Kupës. Vetëm aty jam ndier mirë dhe shpresoj që deri në fund të kemi edhe shumë momente të tjera të tilla dhe të arrijmë objektivat që kemi.



