
Kapiteni i Shqipërisë, Berat Gjimshiti, foli në konferencë për shtyp, në prag të ndeshjes së dytë në Europian, ndaj Kroacisë.
Gjimshiti deklaroi se skuadra duhet të jetë e ‘pisët” në lojë, për të marrë atë që meriton. Sipas tij, Shqipëria duhet të reagojë në ndeshjen e nesërme.

Kroacia është në rolin e favoritit. Besoj që u duk në ndeshjen kundër Italisë, kur kemi përballë kampion siç ishte Italia, çdo gabim i vogël ndikon. Ne duhet t’i përmirësojmë ato episode që të bëjmë më mirë ndaj Kroacisë.
E kam thënë edhe pas pjesës së parë me Italinë, duhet të jesh inteligjent në këto ndeshje, të kesh eksperiencë dhe të ndalësh ritmin e kundërshtarit sepse rivalë të këtyre niveleve të larta të bëjnë dëm dhe duhet të përmirësohemi. Në fushë duhet të jemi pak ‘të pisët’ dhe të marrim atë që meritojmë.
Nuk ishte ndeshje e mirë e Kroacisë ndaj Spanjës, humbën 3-0. Nuk ishte një ndeshje e lehtë as për ata dhe as për ne. Kjo është një mundësi për të reaguar për atë rezultat dhe do të jetë e vështirë si për ata si për ne. Ne do të tentojmë më të mirën dhe do të shohim se kush do të fitojë nesër.



