
Kur duhen edhe pak ditë nga finalja e Conference League, e cila do të zhvillohet në Tiranë më 25 maj, në stadiumin “Air Albania”, përgatitjet vazhdojnë me intensitet të lartë. Një pjesë të rëndësishme për organizimin, do të ketë edhe kategoria e vullnetarëve.
Në lidhje me këtë në emisionin “SportZone” në MCN TV, ka folur koordinatorja, Edlira Jaupaj. Ajo tregoi punën që do të bëjnë vullnetarët dhe benefitet që ata do të kenë pas përfundimit të këtij kompeticioni.
Jaupaj deklaroi se puna e vullnetarëve ka pasur shumë sukses, ndërsa shtoi se do të jenë në çdo pikë, për të ndihmuar qoftë tifozët që do të jenë jashtë, apo edhe ata që do të jenë në stadium.
Në lidhje me punën më të vështirë që kanë vullnetarët, Jaupaj tha se më e vështira, është pjesa e koreografisë, pasi ata trajnohen çdo ditë me orë të tëra në diell.
Në fakt ka pasur shumë sukses. Është diçka që na ka përfshirë shumë, si ekipin ashtu edhe vullnetarët. Koreografia dhe gjithçka në fillim do të bëhet nga vullnetarët. Në çdo fushë, çdo menaxher që ka UEFA, kemi nga një vullnetar që i ndihmon.
Ka pasur qejfmbetje, por e rëndësishme është që kemi bërë një përzgjedhje të mirë. Kemi një vlerësim perfekt për këtë. Vullnetarët ,merren edhe me pjesën e tifozëve, duke filluar nga momenti kur mbërrijnë. Do orientojnë njerëzit në çdo moment. Vullnetarët janë në çdo pikë.
Ata kanë marrë direksionet e duhura, kanë bërë një trajnim. Kryesisht janë për orientim, komunikim dhe për raste të veçanta. Ka pasur disa kërkesa për një person. Ndarja është bërë edhe sipas kritereve që kanë pasur vullnetarët. Çdo person është përshtatur me njohuritë që kanë. Kjo eksperiencë do i ndihmojë edhe për të ardhmen.
Është përgjegjësi e madhe, të cilën e kemi marrë përsipër. Deri tani nuk kemi pasur probleme dhe shpresojmë të jenë kështu edhe ditët e tjera. Ka edhe vullnetarë që do të orientojnë tifozët për vendet. Vullnetarët janë kudo. Vullnetarët do të marrin një lloj certifikate, që ta kenë për të ardhmen. I shërben për evente jashtë. I shërben për shkollimin, pasi marrin kreditë.
Vetë këta vullnetarë duan të përfshihen edhe në evente të tjera. Që në fillim risia ka qenë që kjo do të përdoret edhe më tej. Kemi një ide që do e vazhdojmë dhe mendojmë si do e vazhdojmë. Punojnë falas, por kanë edhe benefite nga UEFA dhe nga FSHF.
Hallka më e vështirë ndoshta është ceremonia, pasi puna është në terren. Çdo ditë rrinë orë të tëra në diell për ta mësuar. Pas ndeshjes, puna nuk mbaron, ne vazhdojmë në datë 26 dhe 27. Ndihmojnë UEFA-n, deri sa ata të largohen nga Shqipëria.
Njerëzit nuk duhet të hezitojnë për t’iu drejtuar vullnetarëve.



