
Trajneri i Vllaznisë, Thomas Brdaric ka dalë para mediave, ku ka folur në prag të sfidës me Teutën, e vlefshme për Superkupën e Shqipërisë, e cila do të zhvillohet ditën e nesërme në stadiumin “Elbasan Arena”, duke filluar nga ora 19:00.
Tekniku i kuqebluve është shprehur se trofeu i Superkupës do të shkojë në Shkodër, teksa më tej shton se në ditët e ardhshme te Vllaznia mund të ketë një surprizë për sa i përket afrimeve në skuadër.
"Ne e dimë shumë mirë kush është Teuta. Është një ekip që ka fituar kampionatin vitin e kaluar dhe ne jemi shumë të motivuar për të marrë maksimumin nga ndeshja. Ne do mundohemi të jemi në gjendjen më të mirë nesër, të japim maksimumin dhe në fund tifozët tanë të jenë më se krenar për përformancën që ne do të bëjmë. Padyshim që do të ketë ndryshime. Vitin e kaluar ne patëm një përformancë mjaft të mirë, por këtë vit do të jetë ndryshe dhe gjithsesi të jemi gati. Loja jonë do të ndryshojë, do mundohemi të japim të njëjtat paraqitje.
Titulli i humbur? Dhemb pak akoma, por është një kapitull i ri. Të gjithë tifozët do kenë një ndeshje mjaft të bukur nesër. Mund të themi që do të përballen dy nga ekipet më të mira të vitit të kaluar, që sigurisht do të jenë prentendente dhe sivjet. Sigurisht të gjithë do të kenë çfarë të shohin, por ne do mundohemi që tifozët e Vllaznisë t'i bëjmë sa më të lumtur.
Me sinqeritetin më të madh, jam shumë i lumtur që Gurishta është këtu me ne, sepse ai është jo vetëm kapiten, por edhe shtyllë e skuadrës. është gjëja më e mirë që mund të kishim që ai të ishte këtu me ne. Të gjithë janë të gatshëm, por kur të jemi dhe më në formë do të jemi akoma dhe më mirë. Duhet të mundohemi që të bëjmë punën më të mirë për vetën tonë si fillim. Për mua është më e rëndësishme të japim maksimumin, të jemi të përqendruar, të fokusuar dhe më pas frytet e punës sonë do të shihen me kalimin e kohës, gjatë gjithë sezonit.
Kemi punuar mirë në merkato. Ndoshta do të kemi një surprizë në ditët e ardhshme, por nuk mund të flas akoma. Gjithsesi unë jam shumë i përqendruar për ndeshjen e nesërme fillimisht dhe pastaj do shohim për javën tjetër. Sigurisht që trofeu do vijë nesër në Shkodër.”, u shpreh Brdaric.



