
Vllaznia e femrave është shpallur kampione e edicionit të parë në kampionatin e grupmoshës U-16, një edicion që ngriti siparin në muajin shkurt të këtij viti.
Shkodranet arritën të fitonin titullin e parë kampion për këtë grupmoshë, pasi mundën në finale Teutën e Durrësit, në një ndeshje që nuk prodhoi asnjë gol në kohën e rregullt. Skuadrat iu drejtuan pikave të bardha të penalltive, me Vllazninë që u tregua më e saktë, duke triumfuar me shifrat 4-3.
Kampionati U-16 për femra ishte i organizuar në dy grupe, A dhe B me 12 skuadra në total. Gara zgjati 10 javë, me ndeshjet që u zhvilluan me sistem vajtje-ardhje dhe në fund, dy ekipet e renditura më mirë në secilin grup kaluan në fazën play-off, duke zhvilluar ndeshjet gjysmëfinale, për të përcaktuar më tej finalen e madhe, ku Vllaznia ia doli të kurorëzohej kampione e këtij sezoni të parë.



