Disa tenistë, të cilët do të marrin pjesë në Australian Open, janë shprehur të zemëruar për faktin se po qëndrojnë të izoluar në dhomat e hoteleve për dy javë, pasi disa persona të cilët fluturuan së bashku me ta rezultuan pozitiv me koronavirus.
Të paktën tre teniste deklaruan se do të kishin zgjedhur të mos merrnin fare pjesë në turne nëse rregullat do t’u ishin bërë të qarta më herët. Sakaq organizatorët pretenduan të kundërtën, duke shtuar se aktiviteti do të vazhdojë ashtu siç është planifikuar.
Me dhjetra tenistë tani ndodhen në izolim, teksa Grand Slam-i pritet të nisë me 8 shkurt dhe do të përfundojë me 21 të po këtij muaji.
Tre persona të cilët fluturuan së bashku me tenistet ishin pozitiv me koronavirus, për këtë arsye Victoria Azarenka, Sloane Stephens, Kei Nishikori, Angelique Kerber dhe Heather Watson nga Mbretëria e Bashkuar janë të detyruara të qëndrojnë të karantinuara. Kjo do t’i pengojë në përgatitjet për garën.



