
Gjatë kësaj merkatoje janari Atletico Madridi do të jetë sigurisht një ndër ekipet protagonistë për sa i përket La Ligas.
‘’ Los Colchoneros ‘’ të cilët drejtohen nga një ndër më të mirët në training sigurisht kanë mbetur në prapavijë vitet e fundit për sa i përket fitimit të titujve dhe ky fakt vijon të jetë një shqetësim.
Diego Simeone këtë herë është fokusuar tek përforcimi i mesfushës dhe ka zgjedhur Arthur Melon si një element, prezenca e të cilit mund të ndryshojë funksionimin e këtij reparti në të ardhmen.
Mungesa e minutave tek Juventusi ia ka hapur derën e ‘’ Allianz Stadium ‘’ brazilianit për të zgjedhur një tjetër ekip, i cili natyrisht do ti garantojë aktivizimin si titullar.
Kryeqytetasit i kanë ofruar mundësinë për ta hedhur pas krahëve eksperiencën e vështirë të së kaluarës dhe të shëndërrohet në një referent.

Nuk do të jetë aspak e lehtë, sidomos nëse flasim për ‘’ Los Rojiblancos ‘’, ekip ku rivaliteti është shumë i ashpër dhe transferimi i 28 vjeçarit në ‘’ Wanda Metropolitano ‘’ do të varet automatikisht nga largimi i Thomas Lemar.
Eksperienca në Primera Division është një faktor kyç për Arthur Melon për tu riadaptuar me shpejtësi, pjesë e Barcelonës në të shkuarën.
Tashmë gjithçka do të varet nga negociatat ndërmjet palëve dhe duhet të evidendohet fakti se bëhet fjalë për një lojtar tejet cilësor, i cili ka shfaqur potencialin edhe tek Brazili i Dorival Junior.



