
Sulejman Starova, specialist futbolli, foli në emisionin “Skaner” në MCN TV, për ecurinë e Shqipërisë, nën urdhrat e trajnerit Silvinjo, për të cilin tha se është shumë i përkushtuar. Starova deklaroi se te Shqipëria ka konkurrencë të madhe mes lojtarëve dhe kjo të ndihmon për të ecur përpara. Më tej ai deklaroi se nuk beson se në ekip ka eufori, pas fitoreve me Moldavinë dhe Ishujt Faroe. “Nuk ka trajner që të mos e dijë rëndësinë e harmonisë në skuadër. Kur mungojnë rezultatet, dalin problemet. Ne jemi në gjendjen më të mirë. I kemi lojtarët një vit më të pjekur nga periudha e trajnerit Reja. Konkurrenca ka bërë të vetën. Ky moment është për të menaxhuar trajneri, konkurrencën e madhe që ka në skuadër. Ajo konkurrenca gjithmonë të çon përpara. I mban lojtarët me këmbë në tokë, për të menduar objektivin e skuadrës. Kjo e çon skuadrën përpara. Që në ditët e para, u pa përkushtimi i trajnerit Silvinjo. Kërkonte që të rrinte në Tiranë. Kjo është një vlerë e madhe për skuadrën. Kjo i jep një dorë edhe kampionatit tonë, sepse kur lojtarët e dinë që është prezent, bëjnë më të mirën. Ky është trajneri i parë, që zgjodhi të rrijë në Shqipëri. Entuziazmi është më tepër te ne, që jemi të jashtëm, jo te skuadra. E shikoj si diçka pozitive. Kufiri i entuziazmit me euforinë, është se të gjithë lojtarët e dinë se e kanë pasur detyrim fitoren me Moldavinë dhe Ishujt Faroe, por presioni ishte i madh për dështimin. Nuk besoj se ka eufori në skuadër. Në fund të fundit, Moldavinë dhe Ishujt Faroe kemi mundur.”, deklaroi Starova.



