Gianluigi Buffon është tërhequr zyrtarisht nga futbolli i luajtur. Në moshën 45-vjeçare, portieri italian ka vendosur të thotë “mjaft”. Ndonëse kishte edhe një vit kontratë me Parmën, Buffon ka vendosur të tërhiqet. Portieri i thotë lamtumirë futbollit të luajtur pas 28 sezonesh si protagonist, 8 prej të cilave me fanellën e Parmës, 19 me atë të Juventusit dhe një me atë të Paris Saint Germain. Buffon është lojtari me më shumë paraqitje në historinë e Serisë A, teksa e ka fituar më shumë here kampionatin, plot 10 herë dhe është portieri me më shumë minuta pa pësuar gol, 974 minuta. Rekordmen për paraqitjet me fanellën e Italisë, në total 176, nga të cilat 80 si kapiten, ndërsa ka fituar edhe Botërorin në vitin 2006.



