
Trajneri i Tiranës, Orges Shehi, duke folur për emisionin “SportZone” në MCN TV, u shpreh se situata e kampionatit ndryshoi për pesë ditë, duke iu referuar humbjeve të fundit me Partizanin dhe Teutën.
Shehi deklaroi se nuk kishin ndodhur më parë dy humbje rresht për skuadrën e tij, ndërsa shtoi se Tirana nuk është vetëm Xhixha.
Unë nuk mendoj se kampionati është mbyllur. Nuk ka mbaruar akoma gjysma. Donim të bënim më mirë, sepse për 5 ditë, kaluam në situata të tjera, pas ndeshjes me Teutën dhe Partizanin, para dy ndeshjeve, ishim ne përpara. Donim ta mbyllnim më mirë, por kështu është futbolli dhe ne duhet ta pranojmë situatën dhe të rikthehemi.
Para anës fizike, është ajo psikologjike. Pas dy rezultateve negative, që ndodhin për herë të parë dy humbje rresht, ana psikologjike nuk është më e mira, kemi kohë të mjaftueshme.
Titulli mes Tiranës dhe Partizanit? Mendoj se është shpejt për të ndarë skuadrat. Ka edhe shumë ndeshje. Diferenca nuk është e madhe. Janë edhe shumë pikë në lojë. Diferencat do të shkurtohen me rifillimin e kampionatit.
Tirana nuk është vetëm Xhixha. Sulmuesi pas një starti të mirë, ndeshjet e tjera janë zgjidhur nga lojtarë të tjerë. Do jetë gabim nëse mendojmë se varemi nga një lojtar.



