Gjilani ka afruar dy lojtarë nga skuadra e Kukësit, për ndeshjet në Europë. Klubi nga Kosova, ka zyrtarizuar afrimin e portierit Angelo Tafasa dhe sulmuesi Atdhe Rashiti. Dy lojtarët janë vënë nën urdhrat e trajnerit Klodian Duro, për të përgatitur ndeshjen e Conference League, ndaj Niedercorn nga Luksemburgu. “Sport Club Gjilani konfirmon ardhjet e përkohshme të futbollistëve Angelo Tafas dhe Atdhe Rashiti nga radhët e Kukësit. Klubet kanë gjetur akordin për këtë marrëveshje dhe me këtë rast shprehim falënderimet më të sinqerta për bashkëpunimin e ofruar nga FK Kukësi. Gjithashtu, konfirmojmë edhe arritjen e marrëveshjes me FC Ballkani për futbollistin Enea Koliçi, duke u dëshiruar shumë suksese në garat evropiane. Të gjithë futbollistët e tjerë vazhdojnë të mbetur në lidhje kontraktuale me klubin dhe janë të regjistruar për ndeshjet kualifikuese në Ligën e Konferencës.”, shkruan klubi.



