Në emisionin “SportZone” në MCN TV, presidenti i KOKSH, Fidel Ylli ka folur për planin e ri të sportit në shkolla. Ai tha se kjo do të nxisë të rinjtë të merren me sport dhe largohen nga droga dhe të jenë më të shëndetshëm.
“Ne kemi të bëjmë edhe me programet sportive, me ekipet sportive nëpër shkolla. Këto janë politikat që duhet të merren dhe të bëhen. Ne kemi nxitur kryeministrin që të zhvillojmë lëvizjen olimpike. Dy kampione do i kemi edhe pa na dhënë buxhete. Ky është një projekt shumë i madh.
Të nxitim lëvizjen olimpike në shkolla, që të largojmë të rinjtë nga droga dhe të merren me sport, rinia t’i ngjajë Brikenit, Erkandit apo Luizës. Ne bëjmë programe sporti, që të kemi bashkëpunime me federatat dhe bashkitë. Duke shtuar sportin në shkolla, do ulet buxheti për shëndetësinë, pasi rinia do jetë e shëndetshme.
Buxhet 5 milionë dollarë, nuk është ndonjë shifër e madhe. Kjo ka të bëjë me vizionin, ku jemi dhe ku do të shkojmë. Na ikën këta që kemi dhe çfarë do bëjmë më pas?! Që të na vijnë të tjerë, duhet të investojmë në sportin në shkolla.
Bashkia çdo objekti që do i japë leje për të ndërtuar, duhet t’i thotë që të ketë fushë sportive. Kjo nuk ka të bëjë me buxhetin e federatave, por është një buxhet për t’i ardhur në ndihmë të gjitha federatave. Ne sportet nuk do i bëjmë vetëm në Tiranë apo Durrës, por në të gjithë Shqipërinë.
Kemi mbështetur federatën e Taekwondo, me trajnim të trajnerëve, i kemi mbështetur edhe me bursa. Një sportist, nëse nuk e fillon aktivitetin që i vogël, nuk ka rezultate. Të shfrytëzojmë këtë burim energjie nëpër shkolla. Palestrat e shkollave të mos i jepen një personi apo një tjetri. Shkollat të konkurrojnë me njëra-tjetrën. Nëse ne arrijmë ta fusim sportin në shkollë, të jeni të sigurt që do të kemi kampionë olimpikë.”, u shpreh fillimisht Ylli.
Më tej, presidenti i KOKSH zbuloi se ka marrë miratimin nga kryeministri Edi Rama, për ndërtimin e një qendre olimpike dhe moderne. Ylli deklaroi gjithashtu se është zgjedhur në një nga komisionet më të rëndësishme të Komitetit Olimpik Europian.
“Kryeministri më tha: ‘Më përgatit projektin dhe do të bëjmë një qendër moderne olimpike.’ Tani do bëjmë një qendër shumë të madhe. Nuk është çështje hapësirash dhe parash, por është vetëm çështje parash. Ka vende sa të duash. Ka fusha dhe toka pafund. Qendra olimpikë duhet të jetë në një vend të qetë. Ne do e bëjmë qendrën olimpike. Do e gjejmë një vend dhe do bëjmë një projekt. Këtë do e administrojë KOKSH. Është një projekt i madh që na ka futur në një angazhim të paparë. Do marrim pak staf. Na duhet një shefe finance për këtë projekt. Nëse shkon mirë, vitin tjetër do të shkojmë edhe 2-3 sporte të tjera.
Nëse këtë fond e ndajmë nëpër federata, nuk e mbledhim dot. Gjithçka do të jetë transparente. Nëse ec mirë ky projekt, do ketë më shumë investime për sportin.
Buxheti i federatave? Buxheti i federatave është një buxhet i ulët dhe skandaloz. Edhe sikur të japësh dyfishin apo trefishin, është përsëri i ulët.
Artan Shyti zv/ministër? Unë pranoj këdo që vendos qeveria. Artanmi është njeri i sportit dhe me vlera në sport, ku ta gjej që ta kem. Deri tani zv/ministrat e sportit kanë qenë merre me lëng se mishi mbaroi. Artani duhet të gjejë rrugën e bashkëpunimeve, të mos merret me njerëzit e gabuar. Unë nuk paguhem, edhe ne Itali edhe në Uzbekistan shkoj me lekët e mia, sepse e dua sportin.
Unë jam zgjedhur në një nga komisionet më të rëndësishme të Komitetit Olimpik Europian. Komisioni i marrëdhënieve ndërkombëtarëve me Bashkimin Europian. Këta të fundit kanë goxha fonde për sportin, për cilat i dërgon të Komiteti Europian. Ishim 66 kandidatura, dhe duke parë CV time, më zgjodhën mua.
Nuk mund të them se qendra olimpike do të jetë gati për dy vite. Unë duhet të vras mendjen me bashkitë ku janë pronat, që të mos gjejmë një prone private, që shteti të paguajë edhe për atë.
Mirë që nuk ka Ministri Sporti, por të ketë të paktën një drejtor që merret me sportin.”, u shpreh Fidel Ylli.



