
Trajneri i Kombëtares së 21-vjeçarëve Alban Bushi, në një lidhje skype për emisionin 'Skaner' në MCNTV, u shpreh se ekipi kuqezi i drejtuar nga Reja bëri maksimumin në humbjen me Anglinë, por kundërshtari ishte I një niveli shumë të lartë. Sipas Bushit nëqoftëse nuk do të kishim mbrojtur edhe me sulmuesit atëherë do të kishim pësuar më shumë gola.
"Mendoj që ekipi u shpreh mirë për detyrat që kishte marrë. Të mbrohesh nga Anglia është shumë e vështirë. Normalisht po të kishim shënuar me Uzunin mund të ishte histori tjetër.
Mendoj që në këtë lloj niveli nëqoftëse nuk do të mbronim edhe me sulmuesit do të pësonim më shumë gola. Gjithsesi sulmuesit bënë mirë, pasi u lodhën me detyrat mbrojtëse. Gjithsesi ekipi e ndoqi trajnerin. Anglia është e papërballueshme. Futbolli është në një nivel shumë të lartë, pasi ata janë të përgatitur shumë shumë mirë fizikisht. Jemi mbrojtur shumë mirë mbrapa. Deri në minutën e 30 ata nuk patën asnjë rast.
Ne duhet të krahasohemi me Poloninë dhe me Hungarinë, sepse jemi të një niveli. Ata mund të jenë pak më lart, por mund t'i përballojmë. Kundër Hungarisë dhe Polonisë Broja përshembull do të bëjë diferencën,”-u shpreh Bushi.



