
Legjenda e Juventusit, Gieampiero Boniperti ka ndërruar jetë në moshën 92-vjeçare. Presidenti i nderit të “Zonjës së Vjetër” pësoi atak kardiak teksa më 4 korrik do të mbushte plot 93 vjeç.
Gjithë jetën e tij ai ia kushtoi Juventusit, duke luajtur nga viti 1946 deri në 1961 në Torino për të fituar 5 tituj të Seria A dhe 2 kupa të Italisë.
Giampiero Boniperti e veshi atë fanellë për 444 ndeshje. E megjithatë, kur ishte fëmijë ai ishte shprehur se do të ishte kënaqur ta vishte "një herë, për të qenë i lumtur përgjithmonë".

Po ashtu ai pati nderin të përfaqësojë edhe përfaqësuesen e vendit të tij, Italinë.
Më pas Boniperti u përfshi edhe në politikë, por sërish hija e tij do të mbetet përgjithmonë si një legjendë e Juventusit që nuk pranoi të luajë me asnjë skuadër tjetër përveç “Zonjës së Vjetër”.

Ai ishte anëtar i Parlamentit Evropian nga '94 deri në '99. Por pasioni i tij i madh, i vërtetë dhe i vetëm ka qenë gjithmonë Juventusi.





