Shqipëria do të luajë ditën e sotme ndaj Polonisë, në ndeshjen e vlefshme për kualifikueset e Botërorit Katar 2022. Në lidhje me këtë, në edicionin e lajmeve në MCN TV, ka folur gazetari i sportit, Gerti Çarçani. Ky i fundit është shprehur se do të jetë një sfidë e vështirë kjo e sotmja për kuqezinjtë, duke parë edhe emrat në letër. Gjithashtu Çarçani tha se Shqipëria e ka garën me Poloninë dhe Hungarinë për vendin e dytë.
“Ne garën në këto eliminatore, e kemi me këto dy ekipe, Poloninë dhe Hungarinë. Me San Marinon dhe Andorrën do marrim pikët e plota, nëse nuk ka ndonjë surprizë. Polakët janë të fortë, futbolli nuk është shkencë ekzakte. Një skuadër e tillë edhe mund të seleksionojë surpriza. Ka diferenca të mëdha mes lojtarëve të Shqipërisë dhe Polonisë.”
Në lidhje me formacionin e hedhur në fushë nga Reja, Çarçani tha se e shikon si një 11-she difensive dhe Kombëtarja do të vendosë autobusin te porta, duke pritur kundërshtarin.
“Reja ka hedhur një formacion difensiv, për të frenuar Lewandowski, megjithëse nuk është vetëm ai. Është një 5-3-2! Më bën përshtypje sulmi, luan Cikalleshi edhe Manaj, të dy në formë të mirë, por edhe Uzuni është në formë shumë të mirë. Mesa shikoj nga emrat, do të jetë një Shqipëri që do të ulë autobusin aty te porta dhe do të presë kundërshtarin.”
Për Çarçanin edhe nëse Shqipëria humb sot, përsëri shanset për vendin e dytë në grup nuk shuhen, por thjesht do të zbehen.
“Edhe nëse humbasim shpresat nuk shuhen. Në kualifikueset e Botërorit, shpresat janë më të vogla se në Europian. Ka shumë rrugë për të bërë. Ne e kemi garën me këto dy skuadra, Poloninë dhe Hungarinë. Me Andorrën dhe San Marinon do merren pikët e plota. Në rast humbje, do të zbehen shpresat, por nuk shuhen. Hungaria në Europian i mori pikë Francës dhe bëri të vuajë Gjermaninë. Edhe barazimi sot do të ishte një rezultat pozitiv. Kemi lojtarë në formë, shpresoj që Cikalleshi të nxjerrë sot nga ato perlat e tij.”
Në fund Çarçani njoftoi se ditën e diel më 5 shtator në ekranin e MCN TV, do të startojë edhe emisioni “Skaner”, i cili në këtë edicion do të jetë çdo të diel dhe të mërkurë.
“‘Skaner’ rikthehet të dielën, pas ndeshjes me Hungarinë. Këtë edicion do të jemi çdo të diel dhe të mërkurë, në orën 23:00, me një skuadër cilësore. Nga e diela do të jemi gjithashtu me kolegen Juli Kapaj, nga ora 16:00 në ‘Sport Zone’, u shpreh Çarçani.



