
Në emisionin “Skaner” në MCN TV, u analizua ecuria e Partizanit dhe fitorja e të kuqve në derbi.
Në lidhje me këtë, trajneri Nevil Dede, deklaroi se Partizani ka elementin surprizë që e tregoi edhe në derbin e fituar.
Lëvizje ka në çdo skuadër shqiptare. Luhatjet janë të mëdha, këto i kanë kaluar të gjithë. Tashmë është faza finale. Partizani ka elementin surprizë. Në derbi surprizuan dhe në fund triumfuan. Partizani tani ka hapur rrugën për të ecur vetë drejt titullit. Pas kësaj fitoreje, do të kuptojnë se munden të garojnë për kampion.
Sipas ish-futbollistit Ermal Tahiri, oshilacionet e Partizanit mund të kenë ardhur për shkak të ndryshimeve të shumta në formacion. Në lidhje me derbin, Tahiri deklaroi se të kuqtë nuk i lanë hapësira Tiranës për të krijuar raste.
Pas derbit, psikologjia e lojtarëve do të jetë më e mirë se oshilacionet që kanë pasur. Tani e arritën përsëri vendin e parë. Ndërrimet në formacion shpesh, ndoshta kanë një rezultat në këto oshilacione. Ka shumë lojtarë, poste të dubluara dhe u tregua një ekip që e detyroi Tiranën të mos kishte as momentet e veta në derbi.



