Trajneri i Laçit, Armando Cungu, foli për MCN TV, pas ndeshjes ku skuadra e tij u mposht nga Egnatia me përmbysje.
Cungu deklaroi se rrogozhinasit janë ekipi më i mirë në Shqipëri, ndërsa shtoi se ishte një takim me dy tablo. Sipas tij, kurbinasit luajnë futboll bio në Shqipëri.
Ishte ndeshje me dy tablo. Një pjesë e parë shumë e mirë e jona, patëm mundësi për dyfishim, por nuk e bëmë. Isha i bindur që pjesa e dytë do të ishte ndryshe. Duhet të mbanim ritmin dhe të kishim topin në këmbë. Kundërshtari ndërhyri me zëvendësimet. Komplimente Egnatias për pjesën e dytë.
Kontigjenti i Egnatias është i bollshëm, është ekipi më i mirë në Shqipëri, nuk është e lehtë të përballesh me një ekip të tillë si Egnatia. Tensioni për të mbajtur rezultatin, ndikoi. Nuk mund të mbahet një rezultat futbolli duke i dhuruar kundërshtarit territorin dhe për të mos pasur topin nën kontroll. Morën epërsi territoriale dhe na dënuan.
Dalja e mbrojtësit brazilian Silva, na prishi ekuilibrat, zhvendosëm Kurtin në qendër, na u prishën ekuilibrat. Pjesa e dyta nuk ishte ajo që kërkuam. Ja që ndodhi, humbja të dhemb shumë. Më lind e drejta morale për të falënderuar djemtë, për gjithçka po bëjnë, po luajnë bio futboll, jo futboll fallco.



