Shqipëria U-18 do të luajë një miqësore, me Italinë të enjten e 11 gushtit. Për këtë ndeshje, nën urdhrat e trajnerit Ardi Behari janë vënë të 21 lojtarët e ftuar për këtë test prestigji dhe përgtaitjet po shkojnë shumë mirë deri më tani.
Për teknikun kuqezi ndeshje të tilla janë mjaft të rëndësishme dhe ndikojnë në mentalitetin e lojtarëve, teksa brezi i vitlindjes 2005 ka mjaft elementë interesantë që premtojnë shumë për të ardhmen. Në prononcimin e tij, Behari shprehet i kënaqur për gjendjen e lojtarëve dhe shpreson të arrë maksimumin nga kjo miqësore, që luhet për të dytin vit radhazi me Italinë U-18.
Grupi është i plotë dhe në gjendje të mirë fizike, sepse pothuajse të gjithë lojtarët janë në fazën përmbyllëse të përgatitjeve para fillimit të kampionateve.
I vetmi problem që kemi hasur, në qoftë se do të quhej i tillë, është përshtatja e lojtarëve që luajnë në Shqipëri me fushën me bar natyral, duke qene se në përgjithësi stërviten dhe luajnë në fusha me bar sintetik, por nuk përbën problem, sepse dëshira, mosha dhe cilësitë e tyre, bëjnë që të superohet kjo vështirësi.
Në fakt është hera e dytë që luajmë ndaj Italisë, luajtëm edhe vjet në këtë periudhë dhe shpresoj që të bëhet e përvitshme, sepse është një ndeshje miqësore që vlen shumë, jo vetëm për çfarë përfaqëson kundërshtari në futbollin evropian dhe atë botëror, por ajo që vlen më shumë është ndikimi në mentalitetin dhe personalitetin e lojtarëve tanë.
E rëndësishme është që të përballemi si të barabartë me Italinë, sepse insistoj të theksoj se skuadra jone kombëtare e vitlindjes 2005, është skuadër me pritshmëri të larta për elementët që ka në përbërje. Po ashtu kjo ndeshje është një mundësi e mirë për lojtarët e kësaj vitlindjeje, për të qenë pjesë e ekipit Kombëtar U-19, në eliminatoret e Europianit në shtator, siç është rasti i Arlind Kurtit, i cili prej disa kohesh është pjesëtar i përfaqësueses U-19. Synojmë që të mund të evidentojmë sa më shumë lojtarë të perspektivës të cilët do të mund të vazhdojnë rrugëtimin e tyre në të gjitha ekipet kombëtare të moshave dhe Kombëtaren A.



