
Real i madridit më në fund e ka pranuar ofertën prej 105 milionë eurosh që i është ofruar për Kristiano Ronaldon. Nga Spanja dhe Italia e bëjnë fakt të kryer, se Reali ka pranuar ofertën e majme që i është propozuar agjentit Jorge Mendes.
Sot ka patur edhe një udhëtim të presidentit të Juventusit, Andrea Anjelit ku mediat e lidhën me një takim të mundshëm me Ronaldon. Prezantimi zyrtar siç raporton edhe “Gazzetta dello Sport” do të bëhet për çështje minutash, ndërsa Kristiano do të firmosë kontratën nga e cila do përfitojë 30 milionë euro në sezon.
Kristiano mbetet ende me pushime, dhe sonte nuk do të jetë në Torino, por pasi klubet të bien dakord për të gjitha pikat e transferimit, do të bëhet zyrtar edhe lajmi se Ronaldo nga ky sezon do të jetë i Juventusit.
Lajmi për largimin e CR7 është konfirmuar dhe nga vetë klubi madrilen që ka falenderuar portugezin për 9 vitet e kaluar tek ta.
"Sot, Reali i Madridit dëshiron të shprehë mirënjohjen tonë për një lojtar i cili ka dëshmuar se është më i miri në botë dhe i cili ka përcaktuar një nga kohët më të ndritshme në historinë e klubit tonë dhe futbollit botëror. Përtej titujve të vendosur, trofeve të fituara dhe triumfit të arritura në fushë gjatë këtyre nëntë viteve, Cristiano Ronaldo ka qenë një shembull i përkushtimit, punës, përgjegjësisë, talentit dhe përmirësimit. Ai gjithashtu është bërë golashënuesi më i mirë në historinë e Real Madridit me 451 gola në 438 ndeshje. Gjithsej 16 tituj, duke përfshirë katër Ligat e Kampionëve, tre prej tyre radhazi dhe katër në pesë sezonet e fundit", thuhet në deklaratën e klubit "Los Blancos".
Për Real Madridin vazhdon më tej deklarata, Cristiano Ronaldo gjithmonë do të jetë një nga simbolet e tij të mëdha dhe një referencë unike për gjeneratat e ardhshme dhe Real Madridi do të jetë gjithmonë shtëpia e tij.
Me këtë njoftim duket se i ka ardhur fundi aventurës së Ronaldos tek Real Madrid.



