
Ndonëse me Shqipërinë arriti rezultate historike, trajneri Gianni De Biasi nuk ka të njëjtin fat te Azerbajxhani, aty ku ende nuk e ka shijuar fitoren në ndeshje zyrtare.
Dje, Azerbajxhani u mposht me shifrat 0-3, në një ndeshje ku për portugezët mungonte edhe Cristiano Ronaldo. Pikërisht në kualifikueset e Euro 2016, Portugalia përballej në ndeshjen e parë me Shqipërinë, aty ku Ronaldo nuk luante. Asokohe Shqipëria triumfoi 0-1 falë golit të Bekim Balajt.
Kjo fitore e Kombëtares sonë, do të sillte edhe shkarkimin e trajnerit të Portugalisë në atë kohë, Paulo Bento. Vendin e këtij të fundit e mori, Fernando Santos, i cili më pas fitoi Europianin e Francës.
De Biasi e ka rikthyer edhe njëherë në mendjen e të gjithëve fitoren e Shqipërisë, duke thënë se trajneri aktual i Portugalisë i ka një shishe verë, pasi ishte ai shkaktari që u ul në stolin e kombëtares portugeze.
“Shpresa vdes e fundit. Në jetë kurrë mos thuaj kurrë. Dua të kujtoj se Santos më ka borxh një shishe vere nga Porto. Ai u bë trajner i Portugalisë falë meje dhe më pas fitoi Europianin.”, tha De Biasi.
Nuk mungoi edhe një përgjigje nga Santos i cili i pyetur rreth kësaj kërkese të De Biasi-t, u shpreh: “Nuk mbaj mend të kem premtuar diçka të tillë dhe nuk kam asgjë borxh. Por mund t’ia ofroj një shishe verë me kënaqësi”.



