
Presidenti i Serie A në Itali, Paolo Dal Pino, ka dhënë dorëheqjen. Ai ka bërë të ditur sot se familja e tij është transferuar në Kaliforni dhe Dal Pino nuk mundet dot të vazhdojë në krye të Ligës italiane.
59-vjeçari u emërua si president i Serie A në janar të vitit 2020, vetëm pak muaj para fillimit të pandemisë, të cilat futbolli e vuajti jo pak.
Dal Pino tashmë ka vendosur të largohet nga posti i tij dhe këtë e ka bërë të ditur nëpërmjet një letre, të publikuar në faqen zyrtare të Ligës së Futbollit.
“Në janar, Kalifornia u bë thelbi i jetës sime profesionale dhe private, kështu që nuk mund të vazhdoj me rolin tim si president i Serie A.
Ka qenë nder të drejtoj Kuvendin dhe Bordin Drejtues dhe ju falënderoj të gjithëve për këto dy vite së bashku. Që në fillim të mandatit tim, jam përpjekur të trajtoj çështjet kritike të qeverisjes dhe inovacionit të Serisë A, duke vazhduar krijimin e një kompanie mediatike dhe hyrjen e fondeve të kapitalit privat”, shkruhej në letrën e Dal Pino.



