
Ndonëse kanë kaluar shumë vite, ndarja e Wanda Narës nga futbollisti Maxi Lopez dhe nisja e romancës me shokun e tij, Mauro Icardi, vazhdon të përflitet ende.
Ajo që e ka rikthyer në vëmendjen e të gjithëve këtë, ka qenë pikërisht Wanda Nara, e cila është rikthyer të flasë për historinë me Lopezin, duke treguar një anë tjetër të saj. Ajo thotë se ishte sulmuesi argjentinas që e tradhtoi atë me një vajzë tjetër.
"Unë nuk mund ta falja atë për tradhtinë. Ka gra që arrijnë ta injorojnë këtë fakt dhe vazhdojnë të ecin përpara. Unë nuk e bëra atë nga respekti për veten. Nuk e meritoja atë tradhti. Unë lashë vendin tim dhe hoqa dorë nga karriera për ta ndjekur në Itali, duke e bërë ëndrrën e tij realitet. Pas dasmës, hodha gjithçka pas krahëve në Argjentinë dhe ika me të në Itali. Pas zbulimit të tradhtisë i mblodha menjëherë çantat dhe u ktheva në Argjentinë me tre fëmijë të vegjël, duke u përpjekur të rindërtoja jetën time”, tha fillimisht Wanda Nara për revistën “Confidenze”.
Gjithashtu ajo foli edhe për lidhjen me Mauro Icardin, me të cilin vazhdon të jetë ende.
“Ai ishte shumë i ri asokohe, por qartësisht ndryshe nga të tjerët. Një njeri i veçantë, që thotë gjithmonë atë që mendon dhe që nga fillimi i lidhjes sonë nuk kam pasur kurrë frikë se mund të më tradhtojë”, përfundoi Nara.



