Tashmë është zyrtare, Bledi Shkëmbi largohet nga drejtimi i Dinamos. Vetë klubi kryeqytetas, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, njofton divorcin me trajnerin.
Sakaq te blutë nuk kanë humbur kohë dhe kanë emëruar menjëherë trajnerin e ri. Drejtimi i skuadrës i është besuar Bledar Devollit, i cili vetëm pak kohë më parë mori postin e zëvendëstrajnerit te “Nëndetësja”.
“Dinamo njofton përfundimin e bashkëpunimit me trajnerin Bledi Shkëmbi.
Presidenti Adrian Bardhi dhe trajneri Shkëmbi kanë zhvilluar mbrëmjen e djeshme një takim në të cilin është diskutuar ecuria dhe performanca e skuadrës. Në përfundim palët kanë vendosur të ndahen miqësisht dhe të ndërpresin bashkëpunimin mes tyre për pjesën e mbetur të sezonit.
Klubi, në emër të z.Adrian Bardhi falënderon trajnerin Shkëmbi për kontributin e tij dhe punën e përkushtuar që ka bërë ne fillim të sezonit 2021-2022 për krijimin e grupit aktual të futbollistëve, duke i uruar njëkohësisht shumë suksese në të ardhmen.
Dinamo bën me dije se drejtimin e skuadrës, Presidenti Bardhi do t'ia besojë z.Bledar Devolli, i cili aktualisht mbante postin e zv.trajnerit në ekip.
Stafit teknik në rolin e zv.trajnerit, i shtohet dinamoviti Erion Xhafa, ish-lojtar dhe kapiten i Dinamos, aktualisht trajner i ekipeve zinxhir të akademisë blu.”



