
Partizani mori një fitore shumë të rëndësishme, teksa mposhti në ndeshjen e parë gjeorgjianët e Saburtalo, në sfidën e vlefshme për turin e parë në Conference League.
Pas përfundimit të takimit, trajneri i të kuqve, Dritan Mehmeti u shfaq i lumtur për fitoren, por shtoi se skuadra nuk duhet të mendojë se është kualifikuar, pasi ka edhe një ndeshje.
Tekniku i kryeqytetasve, deklaroi gjithashtu se skuadra e tij, duhet të kishte shënuar edhe një gol tjetër, pasi rastet i kishte.
Kur ke një ndeshje të tillë, që kundërshtari është me ritëm në aspektin fizik duhet ta përballosh me ekuilibër dhe ta përgatisësh sa më mirë. Në të tilla ndeshje duhet të mendosh shumë në aspektin taktik. Skuadra ka pasur shumë largime dhe afrime, prandaj nuk është e lehtë që për 3 javë të jesh perfekt. Por kjo nuk është justifikim. Duhet të rrimë me këmbë në tokë sepse kemi një ndeshje shumë të vështirë edhe në Tiranë.
Përsa iu përket rasteve të humbura, është gjendje emocionale e lojtarëve. Duhet të jenë edhe pak më shumë altruistë me njëri-tjetrin, por nuk duhet të harrojmë që janë të rinj dhe luajnë në kompeticione të tilla të rëndësishme. Emocionet ndikojnë. Duhet të shënonim golin e dytë, por pasi humbëm 2-3 mundësi s’kishim shumë besim dhe u tërhoqëm.
Nuk duhet ta bëjmë këtë gabim, që të mendojmë se jemi të kualifikuar. Nga unë i pari deri tek lojtari i fundit duhet të jemi të përqendruar. Më e vështira nuk ka përfunduar.



