
Trajneri i Shqipërisë, Edoardo Reja, mori pjesë pak ditë më parë në një miqësore bamirësie, të organizuar me iniciativën e Papa Françeskut dhe në kujdesin e Vatikanit dhe klubit të Lazios. Në qendrën sportive të Lazios, ‘Formelo’, është zhvilluar ndeshja “Të gjithë vëllezër” ku përballë u vunë një përfaqësuese e Organizatës Botërore të Romëve, që kishte për trajnerin Maurizio Sarrin dhe përfaqësuesja e Vatikanit, që kishte për trajner pikërisht numrin 1 të stolit të Shqipërisë, Edoardo Reja.
Reja, ka folur në portalin e FSHF, për miqësoren e zhvilluar, ku tregon se u emocionua nga një djalë me sindromën Doën, i cili shënoi dy gola dhe festonte me entuziazëm të madh.
“Ishte një event i rëndësishëm. Mora një ftesë nga presidenti i Lazios, Claudio Lotito, i cili u tregua i gatshëm për të ngritur strukturën e nevojshme sportive dhe për të organizuar këtë miqësore. Sigurisht, e pranova ftesën dhe u ndjeva mirë që u ktheva për një vizitë në ish-klubin tim, sepse që pas largimit tim nga Lazio nuk kisha qenë më aty dhe ndeshje u zhvillua në Formelo, qendrën stërvitore të Lazios.
Një nga momentet më të bukura që më la mbresa ishte fakti se në ekipin tim unë kisha një djalosh me sindromën Down, i cili shënoi dy gola. Festa e atij djaloshi pas golave ishte emocionuese, ai festonte me një entuziazëm dhe lumturi të paparë, ishte vërtetë një moment prekës dhe lumturie të madhe.
Papa Françesku e kishte kërkuar këtë ndeshje për t’i shprehur mirënjohjen edhe komunitetit rom, që është i margjinalizuar. Madje, kryetari i Shoqatës Botërore të Romëve ishte një kroat, të cilin unë e kam njohur gjatë eksperiencës sime te Hajduk Spliti dhe u ndjeva mirë që u takuam sërish dhe diskutuam për ato kohë. Momenti tjetër kulmor ishte audienca e Papa Françeskut. Në momentin e parë i thashë: “Kam përgjegjësi të madhe, sepse sot jam trajneri i skuadrës së Vatikanit. Shpresoj të bëjmë mirë”. Ndërsa ai mu përgjigj se përveç kësaj është një event i rëndësishëm për të promovuar aspektin human të komunitetit rom. Ishte e bukur të vizitoja Vatikanin, patëm mundësi të shikonim muzetë e Vatikanit dhe ishim gjithashtu të ftuar të drekë atje. Ishte një ditë e veçantë, edhe në aspektin kulturor. Sigurisht, për ne të krishterët, takimi me Papën është diçka e jashtëzakonshme. Ka qenë një aktivitet i veçantë që më ka lënë shumë mbresa dhe plot energji pozitive”, deklaroi Reja.
Të dyja skuadrat, në vigjilje të sfidës, u pritën në një audiencë nga Papa Françesku në Vatikan së bashku edhe me një delegacion të Lazios të kryesuar nga presidenti Lotito dhe drejtori sportiv Igli Tare. Skuadra e Papës, që drejtohej nga Edy Reja, ishte e përbërë nga pjesëtarë të gardës zvicerane, nëpunës të Vatikanit, priftërinj, etj.



