
Kukësi ka zyrtarizuar afrimin e radhës në merkato. Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, klubi verilindor njofton se ka firmosur me mbrojtësin, Vasilis Zogos. 23-vjeçari ishte pjesë e Bylisit në Superiore sezonin e fundit, ndërsa i kishte përfunduar kontrata dhe ishte lojtar i lirë. Zogos ka firmosur kontratën për dy sezone, ndërsa bëhet afrimi i tretë te Kukësi në merkato, pas Sahitaj dhe Beshiraj. “Kukësi njofton se mbrojtësi Vasili Zogos është zyrtarisht futbollist i skuadrës sonë! Futbollisti 23-vjeçar ka firmosur ditën e sotme me klubin tonë një kontratë për 2 sezone , duke u bërë futbollisti më i ri në skuadër. 23 vjeçari, i lindur në Athine vjen te Kukësi nga kampionati Shqiptar ku së fundmi ka qenë pjesë e FK Bylis!”, shkruan klubi verilindor.



