
Vllaznia përballet ditën e nesërme me Flamurtarin në ndeshjen e kthimit në Kupën e Shqipërisë. Shkodranët fituan ndeshjen e parë në Vlorë, me rezultatin 2-1 dhe janë me një këmbë në gjysmëfinale.
Në prag të kësaj sfide, para mediave, ka folur mesfushori i shkodranëve, Arsid Kruja. Ky i fundit u shpreh se kuqeblutë e kanë marrë seriozisht takimin e nesërm, ndërsa shtoi se Kupa është një nga objektivat kryesore të Vllaznisë.
“Si çdo ndeshje tjetër ne e kemi marrë seriozisht edhe këtë takim. Flamurtari ka një skuadër me lojtar cilësorë, ne duhet të japim maksimumin për të kaluar në raundin tjetër.
Besoj se do të ketë disa ndryshime të vogla, por çdo lojtar që do të luajë do të bëjë më të mirën. E kam thënë që Vllaznia ka dy formacione dhe të gjithë do të bëjnë më të mirën.
Jo vetëm sivjet, por ne e pamë edhe vjet që fituam Kupën dhe shkuam në Europë. Kupa është një ndër objektivat kryesore të Vllaznisë këtë sezon.
Nuk e quaj që jemi larg Tiranës pasi pikët janë ende në lojë. Vjet ishim 12 pikë para dhe humbëm kampionatin, por duke bërë maksimumin në çdo ndeshje, mendoj se çdo gjë arrihet.
Jam i kënaqur që i kam shërbyer skuadrës aty ku ka më shumë nevojë dhe do të jem gjithmonë gati për Vllazninë. Mund të kisha bërë më mirë, por do ta shikojmë në vazhdim.”



