
Milani ka pësuar humbjen e dytë radhazi në kampionat, teksa ditën e sotme është mposhtur me rezultatin 1-3 nga Sassuolo në shtëpi.
Ndryshe nga ndeshja në Champions League ndaj Atletico Madrid, ditën e sotme kuqezinjtë u shfaqën në formë jo të mirë, çka solli edhe humbjen në fund. Të besuarit e Piolit e nisën mirë ndeshjen, duke kaluar të parët në avantazh me kapitenin Romagnoli në minutën e 21, i cili shënoi pas një krosimi të marrë nga Theo Hernandez.
Megjithatë ky avantazh zgjati shumë pak, pasi vetëm 3 minuta më vonë, Scamaça, me një supergol nga distanca vendosi baraspeshën. Në minutën e 33, Sassuolo përmbysi rezultatin dhe këtë herë i erdhi në ndihmë autogoli i Kjaer.
Pjesa e dytë nisi me Milanin në sulm, duke kërkuar golin e barazimit, por kështë lanë hapësira prapa, të cilat i shfrytëzuan miqtë, që në minutën e 66, shënuan edhe të tretin, me rezultatin që nuk ndryshoi deri në fund.
Milani mbetet në vendin e dytë me 32 pikë, po aq sa Napoli kryesues dhe 1 më shumë se Interi i vendit të tretë. Në ndeshjet e tjera, Bologna mposhti minimalisht Spezian, ndërsa Udinese-Genoa u mbyll në barazim pa gola.



