
Briken Calja, arriti një sukses të rëndësishëm në Botërorin e Peshëngritjes, që po mbahet në Tailandë.
Peshëngritësi shqiptar u rendit i pari në dygarësh, në Baterinë B, për peshën 73 kg. Calja, shkëlqeu në të treja provat në stilin e shkëputjes, duk ngritur me sukses, 145, 150 dhe 152 kg.
Në stilin e shtytjes, Calja realizoi vetëm provën e parë, duke ngritur 181 kilogramë, ndërsa dështoi dy herë në tentativën për të ngritur 185 kilogramë.
Pas garës, Briken Calja, u shfaq shumë i lumtur, ndërsa nëpërmjet një postimi shkruan se ky kompeticion ishte test i rëndësishëm para Lojërave Olimpike të Parisit.
RIKTHIM I FUQISHËM PREJ KAMPIONI
Pas muajsh mundimesh për shkak të dëmtimit, pas muajsh sakrificash dhe lodhjeje, sot ia dola të rikthehem me një rezultat fantastik në Kupën e Botës “Thailand 2024”, ku arrita një rezultat shumë të mirë në peshën 73 kg.
Shumë mendje skeptike nuk e besonin të rikthehesha kaq fuqishëm sa sot, por përsëri vërtetova se dëshira për të arritur për të arritur sukses për këtë komb dhe për të qëndruar në majat e këtij sporti janë më të mëdha.
Kompeticioni i sotëm ishte një provë dhe një test mjaft i rëndësishëm për shkak se është i fundit kualifikues për Lojërat Olimpike Paris 2024.
Faleminderit në radhë të parë familjes, stafit tim, Bashkisë Tiranë, Ministrisë së Mbrojtjes, Komitetit Olimpik, Federatës Shqiptare, Miqve të mi dhe spitalit onkologjik, ne veçanti Dr.Romeos dhe Dr.Euglentit, për të gjithë mbështetjen që më kanë dhënë!
Vazhdojmë përpjekjen me sfidën e radhës në Paris.



