
Haris Dilaver nuk është më një lojtar i Vllaznisë. Ka qenë vetë klubi shkodran që ka njoftuar mbylljen e bashkëpunimit me sulmuesin boshnjak.
31-vjeçari u bashkua me kuqeblutë në merkaton e verës së kaluar, ku në 34 ndeshje të zhvilluara, arriti të shënojë 11 gola në Kategorinë Superiore.
Tashmë Dilaver ka dalë si një lojtar i lirë dhe është në kërkim të një skuadre të re, për të vazhduar karrierën e tij futbollistike.
“Vllaznia njofton opinionin sportiv se ka mbyllur bashkëpunimin me futbollistin Haris Dilaver. KF Vllaznia e falënderon lojtarin për kontributin e dhënë për skuadrën tonë gjatë sezonit të kaluar si dhe në fitimin e trofeut të Kupës së Shqipërisë, e po ashtu edhe në ndeshjet e Kupave të Europës dhe i uron suksese në karrierën e tij të mëtejshme. Faleminderit Haris Dilaver!”, shkruan klubi shkodran.



