Trajneri i Partizanit, Xhovani Kolela, ka folur para mediave, në prag të sfidës që skuadra e tij do të luajë ndaj Bylisit të hënën.
Tekniku i të kuqve e pranoi se është një moment i vështirë për kryeqytetasit, ndërsa vlerësoi edhe kundërshtarin. Kolela konfirmoi edhe rikthimin e Rrapajt, i cili u shit në janar, por do të luajë me të kuqtë deri në fund të sezonit.
Në një moment të vështirë, çdo kundërshtar është i vështirë. Edhe nëse momenti nuk do të ishte i vështirë gjithsesi kundërshtari do të ishte i tillë. Është shumë i vështirë si kundërshtar pasi na ka bërë presion edhe në ndeshjen e fundit që kemi pasur.
Rrapaj është një lojtar i ri. Do ta ndihmojë shumë skuadrën në bazë të eksperiencës që ka me ekipin. Këtu mund të konsiderohet si një lojtar me shumë eksperiencë, ndërsa në Itali do të konsiderohej vetëm si një lojtar i ri në moshë. Jemi të kënaqur që do ta kemi sërish pjesë të organikës tonë. Ai ka disa ditë që nuk është pjesë e skuadrës tonë dhe mendoj se nuk do të jetë i gatshëm.
I pyetur për të ardhmen, Kolela tha se nuk e merr si një ndeshje deçizive atë të nesërmen, ndërsa shtoi se nuk ka parë një skuadër që në pesë ndeshje të grumbullojë dy pikë dhe të luftojë për titullin.
E ardhmja ime nga ndeshja e nesërme? Këtë pyetje nuk duhet të ma bëni mua. Unë nuk do ta marrë si një ndeshje deçizive. Unë jam i qetë, vazhdoj të bëj punën time, pastaj për pjesën tjetër nuk më takon mua të jap një përgjigje.
Mendoj se e vetmja gjë që është reale dhe e qartë janë statistikat. Në kaq vite unë nuk kam parë një skuadër që në 5 ndeshje të grumbullojë 2 pikë dhe të jetë në luftë për titullin kampion.



