
Trajneri Ardi Behari, tha se përfaqësimi që skuadrat shqiptare bënë në Europë, tregoi se kaq këllqe kanë.
Në emisionin “Skaner” në MCN TV, Behari deklaroi se janë tre arsye, që sollën dështimin në Europë, siç janë organizimi, pjesa taktike dhe pjesë fizike.
Ky edicion i Europës, na tregoi se kaq këllqe kemi. Nuk është vetëm punë këllqesh, por është edhe punë organizimi dhe punë vlerësimi. Për mendimin tim, 3 janë kolonat kryesore dhe pse vijnë këto rezultate. E para është pjesë e organizimit të një kompeticioni Europian. E dyta është pjesa taktike dhe e treta pjesa fizike.
Te puna e organizimit, të gjithë kundërshtarët tanë kanë bërë lëvizjet minimale në skuadër dhe i kanë pasur ekipet të ndërtuara. Te ne nuk vihet re, ka lëvizje të mëdha te skuadrat që luajnë në Europë. Na kanë dominuar të gjitha ekipet kundërshtare, në pjesën taktike. Asnjë skuadër nuk është shthurur në fushë, ashtu siç ka ndodhur me ne. E treta, më kryesorja, është pjesa e përgatitjes fizike. Në një skuadër të shthurur taktikisht, nuk mund të jesh racional, harxhon energji shumë.



