
Vllaznia ka bërë një goditje të bujshme ditën e sotme, teksa ka firmosur me një mbrojtës me eksperiencë të madhe.
Bëhet fjalë për mbrojtësin Fallou Diagne. Ky i fundit ka luajtur 78 ndeshje, në elitën e futbollit francez Ligue 1 me Stade Rennais dhe me Metz në Ligue 2. Gjithashtu ka zhvilluar 59 ndeshje në Bundesliga në Gjermani, aty ku ka qenë pjesë e Freiburg dhe Werder Bremen.
Në sezonin e kaluar, Diagne ishte pjesë e Konyaspor në Turqi dhe tashmë do të provojë një aventurë në Kategorinë Superiore në Shqipëri.
Kjo mund të quhet si një goditje e madhe për kampionatin shqiptar, për shkak të eksperiencës së madhe të mbrojtësit 31-vjeçar, i cili ka luajtur edhe 4 herë me kombëtaren e Senegalit.



