Mesfushori Granit Xhaka dhe portieri Rui Patricio, do të jenë dy afrimet e para te Roma për Jose Mourinhon. Të dy këta lojtarë janë dëshira të trajnerit portugez dhe tashmë shumë shpejt pritet t’i ketë nën urdhrat e tij.
Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, marrëveshja për afrimin e dy futbollistëve është afër dhe zyrtarizimi pritet të vijë që këtë javë. Xhaka ka dhënë dritën jeshile për të kaluar te Roma, teksa këta të fundit janë në bisedime me Arsenalin për të arritur marrëveshjen, e cila duket shumë afër. Zyrtarizimi pritet të vijë në fundjavë, me lojtarin shqiptar, që pas Bundesligës dhe Premier Leagues, tashmë do të luajë në një tjetër kampionat të madh, siç është Serie A.
Për sa i përket portierit Patricio, zyrtarizimin e mban peng vetëm 3 milionë euro. Klubi i Wolverhampton kërkon të paktën 11 milionë euro për ta lënë të lirë lojtarin, ndërsa verdhekuqtë ofrojnë 8 milionë euro.



